Është zbardhur ngjarja e ndodhur mbrëmjen e 25 majit, ku një sasi tritoli shpërtheu jashtë ambienteve të një fasonerie në zonën e ‘Freskut’ në Tiranë. Policia ka arrestuar 2 persona si autorë të ngjarjes. Në pranga ka rënë 46-vjeçari Edmond Arapi i cili akuzohet se i ka ofruar një 16-vjeçari 100 mijë lekë të reja për të vendosur lëndën plasëse në fasonerinë në pronësi të italianit Roberto Bingaido.
Policia ka sekuestruar një biçikletë të përdorur nga 16-vjeçari, e dyshuar e vjedhur më parë, veshje që ai ka përdorur gjatë vendosjes së eksplozivit dhe një mekanizëm arme.
I vetmi që ka folur përpara hetuesve është 16-vjeçari, i cili ka thënë se Edmond Arapi e ka paguar për vendosjen e tritolit. 16-vjeçari ishte banor i Kamzës, por shpesh herë ishte parë të rrinte edhe në Fresk. Disa muaj më parë ai është arrestuar nga Komisariati nr. 5 në Kamëz si autor i vendosjes së një tjetër sasie tritol në një banesë në Allias dhe gjykata në atë kohë e liroi në masë më të butë për shkak të moshës. Njihet si person problematikë për zonën e Kamzës. Nga ana tjetër Arapi nuk ka folur gjatë arrestimit. Pritet që ata të merret sërish në pyetje.
Pas tritolit, Edmond Arapi u fsheh në Himarë ku edhe u arrestua ditën e sotme. Ndërkohë edhe pronari italian i fasonerisë është larguar në Itali.
Edmond Arapi i kishte vënë gjobë prej 100 mijë euro italianit Roberto Del Gaido dhe kërcënuar disa herë që nëse nuk do ta paguante, do të ishte i rrezikuar, por vetë italiani kishte refuzuar. Dyshohet se gjoba është vënë për shkak të ndonjë konflikti për fasonerinë.