Një i ri kishte dalë si çdo ditë me shokët për të peshkuar, por për fat të keq nuk është kthyer më në shtëpi. Ai është mbytur në lumin e Matit, te ura e Zogut. Viktima është identifikuar si V. N., 22 vjeç, banues në Milot, i cili dyshohet se gjatë peshkimit me shokët e tij, aksidentalisht ka rënë në lumë dhe e ka marrë rrjedha.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe skuadra e palombarëve e Repartit Special RENEA, të cilët kanë filluar kërkimet për gjetjen e 22-vjeçarit.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po pyesin në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, shokët e shtetasit V. N. që kanë qenë bashkë me të, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes.