Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim ia ka dhënë një mesazh të qartë, Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ajo ka bërë me dije se KLGJ e ka për detyrë që të zgjedhë gjyqtarë me integritet për Gjykatën e Lartë.
Kim vuri theksin se Reforma në Drejtësi duhet të vijojë, përtej presioneve dhe kërcënimeve, duke sqaruar se në këtë rrugë Shqipëria ka mbështetjen e SHBA-së.
“Yuri Kim u takua sot me Këshillin e Lartë Gjyqësor për t’i falënderuar për bashkëpunimin e tyre gjatë tre viteve e gjysmë të fundit dhe për t’i inkurajuar ata të vijojnë punën. Ajo përsëriti mbështetjen e fortë të SHBA-së për KLGJ-në dhe institucionet e tjera të drejtësisë dhe u bëri thirrje anëtarëve të KLGJ-së të përmbushin detyrën e tyre me integritet dhe pavarësi. Ajo i kërkoi KLGJ-së të plotësojë sa më shpejt tre vendet e mbetura në Gjykatën e Lartë me gjyqtarët më të kualifikuar. Ajo theksoi gjithashtu pritshmëritë e SHBA-së që KLGJ të zgjedhë gjyqtarë me integritet dhe kompetencë profesionale për Gjykatën Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe gjykatat më të ulëta.
Është koha për të thyer mënyrat e vjetra. Reforma në drejtësi duhet të vazhdojë të zbatohet në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara dhe zyrtarët duhet të veprojnë me integritet pavarësisht kërcënimeve dhe nxitjeve”, thuhet në njoftimin e SHBA.