Disa ditë më parë kryeministri Edi Rama paralajmëroi se gjatë verës do të ketë një rishikim të fashës së çmimi të energjisë elektrike. Sipas tij, çmimi i energjisë ka rënë por jo aty ku duhet. Rama ka përmendur disa herë se çmimi që vendoset në faturën e energjisë elektrike, nuk është çmimi real që shqiptarët duhet të paguajnë dhe se është shteti ai që i ka lehtësuar deri më tani familjet shqiptare. Ditën e sotme, ka reaguan Konfindustria e cila e ka quajtur një rrezik të madh nëse rritja e çmimit të energjisë elektrike do të bëhej pa një analizë të thëlluar.
Reagimi i Konfindustrisë:
Konfindustria kundërshton çdo nismë qeveritare për rritjen e çmimit të energjisë për bizneset dhe qytetarët pa një analizë të thelluar paraprake profesionale për gjendjen dhe menaxhimin e deritashëm të sistemit energjetik. Vetëm në rast, se gjykohet, që potencialet vendore energjetike janë përdorur plotësisht me efikasitet profesional dhe pa korrupsion, është e mundshme të ndërmerren nisma për rritjen e çmimit të energjisë. Sipas të dhënave të institucioneve zyrtare humbjet nga keq menaxhimi i sistemit energjetik në 3 mujorin e parë të vitit 2023, ku përfshihen vjedhjet dhe humbjet teknik, arrijnë në mbi 25.1% të sasisë së përgjithshme të hedhur në rrjet nga 8%, që duhet të ishin. Dëmi financiar publik nga më sipër është prej më shumë se 100 milion euro/vit.