Investimet vjetore në energjinë e rinovueshme janë rritur me pothuajse një të katërtën nga viti 2021, krahasuar me një rritje prej 15 për qind për investimet në lëndët djegëse fosile, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).
Rreth 90 për qind e konsumit të energjisë së pastër është në ekonomitë e përparuara dhe në Kinë, duke nënvizuar hendekun global midis vendeve të pasura dhe të varfra.
“Energjia e pastër po depërton shpejt – më shpejt nga sa e kuptojnë shumë njerëz”, tha Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i IEA. “Për çdo dollar të investuar në lëndët djegëse fosile, rreth 1.7 dollarë tani shkojnë në energji të pastër. Pesë vjet më parë, ky raport ishte një me një”.
Pothuajse 2,800 miliardë dollarë do të investohen këtë vit në energji në mbarë botën, nga të cilat më shumë se 1,700 miliardë dollarë duhet të shkojnë për burimet e rinovueshme të energjisë, energjinë bërthamore, automjetet elektrike dhe përmirësimet në efikasitetin e energjisë, shkruan Reuters.
Miliarda dollarët e mbetur do të shkojnë për naftë, gaz dhe qymyr.
Në vitin 2023, shpenzimet diellore mund të arrijnë më shumë se 1 miliard dollarë në ditë, ose rreth 380 miliardë dollarë në vit.
OPEC tha se thirrjet e IEA për të ndaluar investimin në naftë po minojnë sigurinë dhe rritjen globale të energjisë.
Shkencëtarët dhe aktivistët ndërkombëtarë të klimës kanë paralajmëruar se industria e karburanteve fosile po përkeqëson efektet katastrofike të ndryshimeve klimatike.