18 motoçiklistë shqiptarë me banim në Zvicër të njohur si “Shqiponjat” kanë bërë një udhëtim aventuresk nga Bazeli drejt atdheut të tyre me ndalesa të herëpashershme.
Në një lidhje me Skype nga Ksamili, që është edhe ndalesa e radhës, njëri prej motoçiklistëve, Muharrem Avdimetaj, ka treguar sesi është ndërmarrë kjo aventurë e rrallë dhe ka ndarë të gjitha detajet.
“U nisëm të enjten me datë 18 në ora 5 të mëngjesit nga Bazeli i Zvicrës dhe destinacioni ynë i parë ishte Trieste dhe e kaluam natën, të nesërmen vazhduam rrugën nga Kroacia, ndaluam diku ku kaluam natën e dytë. Më tej vazhduam rrugën për në Ulqin ku kaluam natën e tretë. Gjatë udhëtimit patëm mundësinë të ndalojmë në vende të ndryshme, për të shijuar rivierën kroate deri në Ulqin, ku vizituam dhe shijuam plazhet e tij. Në grupin tonë për momentin jemi 18 veta, deri në Kosovë kemi pasur edhe dy të cilët kanë ardhur vetëm për ta shijuar dhe do të kthehemi me avion. Ne ishim 16 automobilistë dhe një përkrahës me furgon që na shoqëronte”, tha ai.