Një ngjarje e cila mund të përfundonte në tragjedi për fat të mirë është parandaluar në kohë në qytetin e Durrësit.
Lulëzim Haxhiu po kërkonte të vriste gruan, e cila ishte larguar nga banesa bashkë me fëmijët, por për fat ai u kap me automatik në makinë, pa e kryer krimin.
Ai ishte nisur të vriste gruan, pasi kjo e fundit e denoncoi për dhunë dhe kishte marrë urdhër mbrojtje.
‘Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, falë inteligjencës informative se një shtetas po qarkullonte me armë zjarri në fshatin Shkallnur, Durrës, dhe dyshohet se do kryente krim në familje, menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes dhe kapjen e shtetasit që qarkullonte me armë zjarri.
Falë vlerësimit në kohë reale të informacionit, si dhe reagimit të menjëhershëm të strukturave të Policisë Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Shkallnuri”, u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L. H., 40 vjeç, banues në fshatin Shkallnur, Durrës.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me të cilin qarkullonte ky shtetas, gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri tip automatik PMSH me karikator me municion luftarak.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ishte larguar prej disa ditësh nga banesa, sepse bashkëshortja e tij është e pajisur me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Durrësit, që prej datës 04.05.2023, për shkak të dhunës së ushtruar nga ky shtetas.
Dyshohet se 40-vjeçari po kërkonte bashkëshorten për ta vrarë, e cila ishte larguar nga banesa, së bashku me fëmijët. Ndërhyrja në kohë e Policisë për kapjen e tij parandaloi ngjarjen e rëndë kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.’- njofton policia.