Vendet pro bërthamore e shohin energjinë bërthamore si çelësin e tranzicionit të Evropës drejt një ekonomie me karbon të ulët, mes mosmarrëveshjeve të thella në Bashkimin Evropian mbi rolin e tij në përmbushjen e synimeve klimatike.
Ndarjet e gjata mbi energjinë bërthamore në bllokun 27-anëtarësh u thelluan këtë vit pasi vendet u përplasën nëse energjia bërthamore me karbon të ulët duhet të llogaritet në objektivat e energjisë së rinovueshme.
Tensionet janë rritur gjithashtu midis Francës, Spanjës dhe Gjermanisë, konsumatorit më të madh të energjisë në Evropë, i cili mbylli reaktorët e fundit bërthamorë në prill, nëse projektet e planifikuara që lidhen me infrastrukturën energjetike duhet të mbështesin energjinë bërthamore, transmeton Reuters.
Në një takim në Paris, 16 qeveri i bënë thirrje BE-së të ofrojë më shumë mbështetje për energjinë bërthamore përmes politikave të saj energjetike, duke përfshirë subvencionet industriale të gjelbra dhe një “bankë” hidrogjeni në Bashkim.
Brukseli ka njoftuar se vetëm disa teknologji të avancuara bërthamore do të marrin stimuj të BE-së për industritë e gjelbra.
“Energjia bërthamore është një burim i rëndësishëm, si për sigurinë tonë të furnizimit ashtu edhe për angazhimet për klimën”, tha ministrja franceze e Energjisë Agnes Pannier-Runacher, e cila thirri takimin.
Takimi mblodhi së bashku Komisionerin Evropian për Energjinë, Kadri Simson dhe përfaqësues të 14 vendeve të BE-së, përfshirë Belgjikën dhe Holandën, si dhe Italinë si vëzhguese dhe Britaninë e Madhe si mysafir nga jashtë Bashkimit.
Vendet diskutuan se si të punojnë së bashku për të rritur mundësitë e punësimit në industrinë evropiane të energjisë bërthamore.
Evropa ka rreth 100 gigavat-orë (GW) kapacitet të instaluar bërthamor, duke prodhuar afërsisht një të katërtën e energjisë elektrike të BE-së.
Energjia bërthamore mund të prodhojë një sasi të madhe të energjisë elektrike pa dioksid karboni, dhe vendet evropiane si Polonia, e cila ende nuk ka ndërtuar reaktorin e saj të parë, si dhe Republika Çeke, e shohin atë si një mënyrë për të hequr gradualisht karburantet fosile.
“Qëllimi ynë është të diskutojmë se si të financojmë zhvillimin e shpejtë të teknologjive moderne bërthamore si një burim energjie i qëndrueshëm dhe pa karbon në të ardhmen”, tha ministri çek i Energjisë Jozef Sikela.
Energjia bërthamore nuk është e rinovueshme, sepse mbështetet në një burim jo të rinovueshëm, dhe gjithashtu prodhon mbetje radioaktive.
Kjo është arsyeja pse vendet anti-bërthamore, përfshirë Austrinë, besojnë se qeveritë duhet të inkurajohen të fokusohen në burimet e rinovueshme të energjisë si era dhe dielli.
Draft-deklarata e vendeve pas takimit tha se vendet do të fokusohen në reduktimin e varësisë së tyre nga karburanti bërthamor ruse.
Pannier-Runacher tha se Brukseli mund të ndihmojë këtë proces duke mbështetur zhvillimin e konvertimit dhe pasurimit të uraniumit në Evropë.