Aksidentet rrugore në muajin prill janë ulur me 25 për qind. Gjatë këtij muaji numërohen 69 aksidente rrugore nga 92 të ndodhura në muajin Prill të vitit 2022.
Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 94 persona nga 132 në muajin Prill 2022. Aksidentet rrugore, në 87,0 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha deri 24 vjeç, duke zënë 24,6% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 15,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Prill 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditët e Shtuna dhe të Diela, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur të Enjteve.
Në muajin Prill 2023, 24,6% e aksidenteve rrugore kanë ndodhur gjatë harkut kohor 14:00-17:00.
Në katërmujorin e parë të vitit 2023, numërohen 332 aksidente rrugore nga 377 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 11,9%.
Numri i të aksidentuarve është 454 persona nga 524 persona të aksidentuar në katërmujorin e parë të vitit 2022.
Aksidentet rrugore, në 18,1% të rasteve, në katërmujorin e parë të vitit 2023 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit për periudhën katër mujore është rritur me 20,0%./ Monitor