Vendet mund të reduktojnë ndotjen plastike me 80 për qind deri në vitin 2040 duke aplikuar teknologjinë ekzistuese dhe duke bërë ndryshime të mëdha politikash, sipas një raporti të ri nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP).
Organi i OKB-së me bazë në Kenia ka publikuar një analizë të opsioneve të politikave për të trajtuar krizën e mbetjeve plastike dy javë përpara se vendet të mblidhen në Paris për raundin e dytë të bisedimeve për të hartuar një marrëveshje globale për eliminimin e mbetjeve plastike, raporton Reuters.
Raporti fokusohet në tre ndryshime të mëdha të tregut të nevojshme për të krijuar një ekonomi “rrethore” që mban artikujt e prodhuar në qarkullim për aq kohë sa të jetë e mundur: ripërdorimi, riciklimi dhe zhvendosja e ambalazheve nga plastika në materiale alternative.
“Nëse ndjekim këto udhëzime, duke përfshirë negocimin e një marrëveshjeje për ndotjen plastike, mund të arrijmë përfitime të mëdha ekonomike, sociale dhe mjedisore”, tha Inger Andersen, Drejtore Ekzekutive e UNEP.
Bisedimet e kontratës, të njohura si INC2, do të zhvillohen nga 29 maji deri më 2 qershor dhe pritet të rezultojnë në parametrat kyç për draftin e parë të kontratës, i cili duhet të hartohet përpara raundit të tretë të bisedimeve në Kenia në nëntor.