Mesnata e së premtes shënoi fundin e fushatës dhe nisjen e heshtjes zgjedhore.
Një ditë përpara zgjedhjeve vendore, ligji, konkretisht Kodi Zgjedhor, ndalon çdo parti të bëjë fushatë apo propagandë drejtuar zgjedhësve.
Vetëm administruesit e procesit të certifikuar nga KQZ janë në detyrë në ditën e heshtjes zgjedhore për të bërë shpërndarjen e materialeve dhe fletëve të votimit në qendrat e votimit.
Në zgjedhjet e 14 majit 2023, 3.65 milionë shqiptarë janë ftuar të hedhin votën për të zgjedhur 3222 anëtarë të këshillave bashkiake dhe 61 kryetarë bashkish: Në garë për këto vota janë formalisht 145 kandidatë për kryetarë dhe 23,646 kandidatë për këshilltarë.
Policia e Shtetit pritet të angazhojë 5 mijë e 500 efektivë për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Këta të fundit, do të angazhohen për transportimin dhe ruajtjen e materialeve zgjedhore.
Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) hapi të premten e 7 prillit një mision vëzhgues të zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri, pas një ftese nga autoritetet kombëtare.
Misioni drejtohet nga ambasadorja Audrey Glover dhe përbëhet nga një ekip bazë prej 13 ekspertësh me qendër në Tiranë dhe 24 vëzhgues afatgjatë.
Këta të fundit, janë vendosur në të gjithë vendin nga 13 prilli.
Kujtojmë që në tre bashki pritet që rezultati të shpallet gjysmë ore pas përfundimit për shkak të aplikimit elektronik të votimit dhe numërimit në Elbasan, Vorë dhe Kamëz.