Pak pas mesnate, uniformat blu të Vlorës kanë arrestuar Fredi Belerin, kandidatin e koalicionit “Bashkë fitojmë” për Bashkinë e Himarës. Burime bëjnë me dije se arrestimi i Belerit është urdhëruar nga SPAK pasi kandidati për kryetar bashkie në Himarë akuzohet për blerje votash. Prangosja e Fredi Belerit është bërë në lokalin që ai zotëron në qytetin e Himarës. Lidhur me ngjarjen nuk ka ende një njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit por mësohet se Beleri është dërguar në Komisariatin e Policisë së Vlorës.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule i cili e ka konsideruar aktin si të paprecedentë dhe si një sjellje e regjimeve totalitare. Për arrestimin e Belerit, Dule akuzon drejtpërsëdrejti kryeministrin Edi Rama, i cili mbrëmjen e kaluar në emisionin ‘Opinion’, foli në lidhje me kandidatin e ‘Bashkë Fitojmë’, duke u shpreh se në Himarë po blihen votat dhe po kërcënohen njerëzit.