Numri i krimeve të motivuara politikisht në Gjermani u rrit në një nivel rekord vitin e kaluar, i cili ndër të tjera lidhet me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, njoftoi ministrja e Brendshme Nancy Faeser.
“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës shënoi gjithashtu një pikë kthese kur bëhet fjalë për sigurinë e brendshme në Gjermani”, tha Faeser (Partia Social Demokratike e Gjermanisë – SPD) kur prezantoi raportin vjetor për numrin e veprave penale me sfond politik.
Në lidhje me luftën në Ukrainë janë regjistruar 5510 vepra penale, të cilat më së shumti hyjnë në kategorinë e “propagandës ideologjike”, ku mbi të gjitha bëhet fjalë për theksimin e simboleve dhe parullave të ndaluara.
Në vitin 2022 janë regjistruar gjithsej 58.916 vepra penale me sfond politik, që është shtatë për qind më shumë se në vitin 2021, transmeton Hina.
Pavarësisht se pjesa më e madhe e masave kundër përhapjes së pandemisë së koronavirusit u shfuqizuan në fillim të vitit 2022, vitin e kaluar janë regjistruar 13.988 akte lidhur me protestat kundër këtyre masave.
Presidenti i Zyrës Federale për Luftën kundër Krimit (BKA), Holger Muench, tha se rreziku më i madh është ende nga krimet me sfond të djathtë radikal.
Në këtë fushë, numri i krimeve të regjistruara është rritur me shtatë për qind, në 23,493 raste.
Në të njëjtën kohë, numri i krimeve që i atribuohen bllokut politik ekstrem të majtë ra me 31 për qind.
Lidhur me rritjen e numrit të veprave me sfond të djathtë radikal, Faeser vuri në dukje aktivitetet e Alternativës së djathtë, populiste për Gjermaninë (AfD), veçanërisht në lindje të vendit.
AfD, veçanërisht në lindje të vendit, ku rezistenca kundër refugjatëve është më e madhja, është rritur në popullaritet muajt e fundit dhe në disa shtete federale, si Saksoni-Anhalt, sipas sondazheve të opinionit publik, është forca më e fortë politike.