Investimet kineze në Evropë kanë ndryshuar në mënyrë dramatike dhe tani janë përqendruar në bateritë e makinave dhe startup-et, sipas një sondazhi nga China Institute Merics dhe Rhodium Group.
Për herë të parë që nga viti 2008, vitin e kaluar investitorët kinezë investuan më shumë në krijimin e filialeve dhe në ndërtimin e fabrikave sesa në blerjen e kompanive, sipas Institutit Kinez Merics dhe Rhodium Group.
Vlera e blerjeve kineze në Evropë ra me 22 për qind, në 3.4 miliardë euro, transmeton Hina.
“Investimi i drejtpërdrejtë nuk rregullohet aq rreptësisht sa blerjet e diskutueshme në sektorin kyç të infrastrukturës ose teknologjisë”, shpjegoi krye-ekonomisti i Merics, Max Zenglein.
Projektet e reja u nisën kryesisht në sektorin e automobilave, zbuluan autorët e studimit, duke theksuar investimet e prodhuesve kinezë të baterive si CATL, Envision AESC dhe SVOLT në fabrika në Gjermani, Britani të Madhe, Francë dhe Hungari.
Këto katër vende tërhoqën deri në 88 për qind të investimeve direkte kineze në Evropë, por edhe më së shumti blerje dhe shkrirje.
“Ndryshimi i modeleve të investimeve tregon qartë forcën e konkurrencës kineze, veçanërisht në fushën e lëvizshmërisë elektronike”, tha Zenglein.
“Kompanitë kineze po investojnë miliarda në zinxhirin e vlerës evropiane në sektorin e lëvizshmërisë elektronike dhe janë bërë një lojtar i rëndësishëm në tranzicionin e energjisë”, përfundoi Drejtoresha e Rhodium Groupe Agatha Kratz.