Një 29-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia e Matit pasi kanosi një tjetër person në ambientet e një lokali. Në kërkim uniformat blu shpallën Hulk Dedjen, një person me precedent të theksuar kriminal. Sipas policisë personi i kanosur ka mundur që të largohet nga lokali.
Uniformat blu kanë ushtruar kontroll në banesën e 29-vjeçarit ku gjetën dhe sekuestruan 12 targa automjetesh 2 prej të cilave janë me mbishkrimin Policia 4 targa të huaja dhe 6 shqiptare. Po ashtu u sekuestruan një fenelinë si dhe një krehër kallashnikovi. Sipas uniformave blu 29-vjeçari Hulk Dedja është dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë si dhe armëmbajtje pa leje.