Dy turiste janë gjetur pa jetë pasditen e të martës, në “Qafë Valbonë”, ku po eksploronin zonën turistike. Mësohet se turistët që kanë humbur tragjikisht jetën janë dy vajza, njëra e identifikuar me inicialet B.M nga Belgjika dhe tjetra shtetases franceze identifikuar me inicialet J. B.
Policia e Shtetit bën me dije se menjëherë pas marrjes së informacionit që dy turiste të huaja ishin rrëzuar, kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur gjetjen e trupave të dy turisteve, të cilat fatkeqësisht kishin humbur jetën.
Në ndihmë të shërbimeve policore është nisur menjëherë skuadra alpine e FNSh Shkodër, pasi për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe motit të keq, punonjësit e Policisë, e kanë të pamundur nxjerrjen e trupave nga humnera. Po për shkak të motit të keq, edhe helikopteri nuk ka mundur të ulet në vendin ku janë gjetur të pajeta turistet.
Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë, shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes.
Grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së dy turisteve.