Aktualisht ka rreth 640 milionë gra dhe vajza në botë që janë martuar që fëmijë.
Megjithatë, numri i martesave të fëmijëve vazhdon të ulet në mbarë botën, raporton Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët UNICEF. Raporti përkatës i UNICEF-it u publikua në maj 2023.
Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se ka progres në luftën kundër këtij fenomeni, por jo aq sa duhet.
Sot, një në pesë vajza nga mosha 20 deri në 24 vjeç martohet që fëmijë – 10 vjet më parë, një në katër vajza e kishin këtë fat.
Në përgjithësi, pothuajse gjysma e nuseve të mitura jetojnë në Azinë Jugore (290 milionë vajza).
127 milionë nuse (20%) janë në Afrikën Sub-Sahariane, 95 milionë (15%) janë në Azinë Lindore dhe Paqësor, 58 milionë (9%) janë në Amerikën Latine dhe Karaibe.
37 milionë vajza janë të prekura nga martesat e hershme në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut dhe 20 milionë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.
“Pavarësisht progresit global, ulja e numrit të martesave të fëmijëve nuk po ndodh aq shpejt për të arritur objektivin për të çrrënjosur këtë praktikë deri në vitin 2030. Në fakt, me ritmin aktual, do të duhen edhe 300 vite të tjera për të çrrënjosur plotësisht martesat e fëmijëve”, thotë UNICEF.
Progresi global ishte kryesisht për shkak të reduktimit të martesave të fëmijëve në Indi. Megjithatë, ende ekziston numri më i madh i nuseve të mitura në botë.
Përparimi është gjithashtu i dukshëm në vende të tjera të populluara ku kjo praktikë ka qenë historikisht e zakonshme, si Bangladeshi dhe Etiopia.
Maldivet dhe Ruanda po i afrohen gjithashtu zhdukjes së martesave të fëmijëve.
Ndërkohë, progresi ka ngecur në disa pjesë të botës. Afrika Perëndimore dhe Qendrore, rajoni me prevalencën më të lartë të martesave të fëmijëve, ka bërë shumë pak përparim gjatë 25 viteve të fundit.
Shumë vende në rajon, veçanërisht në rajonin e Sahelit, po përjetojnë kriza të vazhdueshme që rrisin cenueshmërinë e vajzave.
Një rajon tjetër ku lulëzon martesa e fëmijëve është Amerika Latine dhe Karaibet. Për shkak të hendekut të madh midis grupeve të ndryshme socio-ekonomike, kjo praktikë ka zënë rrënjë në mesin e njerëzve të varfër.
UNICEF thotë se me ritmin aktual, botës do t’i duhen edhe 300 vite të tjera për të çrrënjosur plotësisht martesat e fëmijëve.