Samsung Electronics ka ndaluar disa nga punonjësit e saj të përdorin mjete të inteligjencës artificiale, si ChatGPT, pasi janë raportuar raste të brendshme të keqpërdorimit të teknologjisë.
Kompanitë e mëdha, duke përfshirë Goldman Sachs, kanë ndaluar ose kufizuar përdorimin e platformave me inteligjencë artificiale muajt e fundit, kujton AFP.
Platforma ChatGPT, e projektuar nga kompania startup kaliforniane OpenAI, u shfaq në nëntor dhe u bë shpejt e njohur për aftësinë e saj për t’iu përgjigjur qartë pyetjeve të vështira, për të shkruar sonete ose disa kode kompjuterike.
Ndalimi i Samsung zbatohet për punonjësit në sektorin e pajisjeve mobile dhe pajisjeve shtëpiake, konfirmoi një përfaqësues i paidentifikuar i kompanisë për AFP.
Një dokument i brendshëm i parë nga agjencia franceze tha se Samsung po punon për të gjetur mënyra për të përdorur shërbimet e inteligjencës artificiale në një “mjedis të sigurt për punonjësit për të përmirësuar efikasitetin e punës”.
“Derisa këto masa të reja të jenë gati, ne po ndalojmë përkohësisht përdorimin e shërbimeve të inteligjencës artificiale në kompjuterët në pronësi të kompanisë”, shtohet në dokument.