Ministrja e Financave të SHBA-së, Janet Yellen paralajmëroi se vendi mund të jetë në rrezik të mbarojë paratë për të shlyer borxhin e tij më 1 qershor, nëse Kongresi nuk e rrit kufirin e huamarrjes dhe se kjo mund të shkaktojë një krizë financiare globale, raporton Beta.
Në një letër drejtuar drejtuesve të të dy dhomave të Kongresit, Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, Yellen u kërkoi atyre të rrisin sa më shpejt kufirin e borxhit të SHBA, i cili tani është në 31.4 trilion dollarë.
Nëse nuk e bëjnë këtë, qeveria federale nuk do të jetë në gjendje të marrë hua para dhe Yellen thotë se është e pamundur të dihet data e saktë kur qeveria do t’i mbarojë paratë, raporton Zëri i Amerikës.
“Ajo që kemi mësuar nga situata të tilla në të kaluarën është se pritja deri në momentin e fundit mund të dëmtojë seriozisht besimin e biznesit dhe konsumatorit, t’i bëjë kreditë më të shtrenjta për qytetarët dhe të ndikojë negativisht në vlerësimin e kreditit të SHBA-së”, tha Yellen.
Në janar, Yellen u shkroi udhëheqësve të kongresit dhe tregoi se departamenti i saj kishte filluar tashmë të ndërmarrë hapa për të shmangur një situatë në të cilën borxhi federal nuk mund të shlyhej.
Thesari njoftoi dje se planifikon të marrë hua më shumë para nga prilli në qershor të këtij viti, edhe pse qeveria federale është afër arritjes së tavanit të saj të huamarrjes.
SHBA planifikon të marrë hua 726 miliardë dollarë këtë tremujor, që është 449 miliardë dollarë më shumë se sa ishte parashikuar në janar.
Zyrtarët e thesarit paralajmërojnë se shkelja e kufirit të borxhit është një kërcënim i madh për pozicionin financiar të SHBA.
Demokratët dhe Shtëpia e Bardhë duan që Kongresi të rrisë tavanin e borxhit. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve miratuan së fundmi një propozim për të rritur tavanin e borxhit, por për të ulur shpenzimet.
Presidenti Joe Biden thirri udhëheqësit e kongresit në një takim më 9 maj për të adresuar këtë çështje.