Autoritetet rregullatore amerikane kanë marrë kontrollin e bankës kaliforniane në vështirësi First Republic Bank, e cila po blihet nga gjiganti bankar amerikan JPMorgan, njoftoi sot Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave (FDIC), raporton Beta.
Banka ka qenë nën një presion të madh që nga kolapsi i dy bankave me një profil të ngjashëm në fillim të marsit, Silicon Valley Bank dhe Signature Bank, të cilat u morën nga autoritetet rregullatore pasi klientët e pasur të shqetësuar për qëndrueshmërinë e këtyre bankave filluan të tërhiqeshin fondet e tyre në masë.
Autoritetet rregullatore morën kontrollin e First Republic Bank me bazë në Kaliforni herët këtë mëngjes dhe shitën të gjitha depozitat dhe shumicën e aseteve të saj te gjigandi bankar JP Morgan Chase në një përpjekje për të parandaluar ndërprerje të mëtejshme bankare në SHBA, raporton AP.
First Republic Bank me bazë në San Francisko është banka e tretë e mesme amerikane që dështon në dy muajt e fundit.
Investitorët dhe klientët e saj ishin të shqetësuar nëse ajo do të mbijetonte për shkak të numrit të madh të depozitave të pasiguruara dhe ekspozimit ndaj kredive me interes të ulët.
Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave (FDIC) njoftoi këtë mëngjes se 84 degë të First Republic Bank në tetë shtete do të rihapen si degë të Bankës JP Morgan Chase dhe depozituesit do të kenë akses në të gjitha fondet e tyre.
Rregullatorët punuan gjatë fundjavës për të gjetur një rrugëdalje përpara se tregjet e aksioneve të SHBA të rihapen.