Ministrat e Grupit të Shtatë (G7) u takuan në Japoninë lindore për të diskutuar menaxhimin e inteligjencës artificiale mes rritjes së shpejtë të përdorimit të chatbot-eve të inteligjencës artificiale, si dhe çështje të tjera si infrastruktura e sigurt dixhitale.
Takimi dyditor i ministrave të teknologjisë dixhitale të vendeve anëtare të G7 në qytetin Takasaki, në veriperëndim të Tokios, është një nga një seri takimesh ministrore që do të mbahen përpara samitit të G7 muajin e ardhshëm, raporton Kyodo.
Një nga qëllimet e takimit është promovimi i teknologjive për përmirësimin e rrjedhës së të dhënave ndërkufitare dhe internetit të lirë dhe të hapur.
“Ndërsa përparimet në teknologjitë e inteligjencës artificiale (AI) mund t’i bëjnë operacionet e qeverisë dhe sektorit privat më efikas dhe produktiv, ato mund të krijojnë sfida të papritura për demokracinë”, tha ministri japonez i teknologjisë dixhitale, Taro Kono.
Ritmi i shpejtë i zhvillimit të AI ka nxjerrë në pah nevojën për standarde ndërkombëtare për të qeverisur teknologjinë, me shumë vende që shtrëngojnë rregulloret për përdorimin e chatbot-eve për shkak të shqetësimeve të privatësisë.