Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi se vendi ka zgjedhur astronautët për misionin e parë hapësinor, i cili është planifikuar për në fund të këtij viti.
Erdogan vizitoi panairin e madh turk të teknologjisë dhe aviacionit Teknofest, i cili mbahet në aeroportin Ataturk në Stamboll dhe me atë rast njoftoi se Alper Gezeravci dhe Tuva Cihangir Atasever janë përzgjedhur si astronautët e parë turq që udhëtojnë në hapësirë, shkruan Anadolia.
Ai sqaroi se Alper Gezeravci është astronauti i parë, kurse Tuva Cihangir Atasever rezervë.
“Miku ynë, i cili do të shkojë në misionin e parë të Turqisë në hapësirë, do të qëndrojë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor për 14 ditë. Në këtë mision ata do të kryejnë 13 eksperimente të ndryshme të përgatitura nga universitetet dhe institucionet kërkimore të vendit tonë. Koha e dërgimit pasagjeri ynë në hapësirë është planifikuar për tremujorin e fundit të vitit 2023”, tha Erdogan.
Në vitin 2018, Turqia themeloi Agjencinë Turke të Hapësirës dhe një vit më vonë njoftoi programin hapësinor të vendit si dhe një mision hapësinor të drejtuar.
Kjo ishte dalja e parë publike e Erdoganit pas katër ditësh mungesë për shkak të një virusi të zorrëve.
Në margjinat e Teknofest, Erdogan u takua pas dyerve të mbyllura me homologun e tij azerbajxhanas Ilham Aliyev.
Ai vazhdon fushatën e tij zgjedhore në Ankara të dielën.
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 14 majit konsiderohen si testi më i vështirë për qeverisjen 20-vjeçare të Erdoganit.