Italia po përballet me një mungesë të madhe të fuqisë punëtore dhe i mungojnë gati një milion punëtorë në disa sektorë ekonomikë, tha ministrja e Punës Maria Elvira Calderone.
“Problemi kryesor është se gjithnjë e më shumë njerëz po largohen nga tregu i punës për shkak të moshës dhe është e vështirë të gjesh punëtorë të rinj për të plotësuar ato vende pune”, tha Calderone, transmeton dpa.
Sipas saj, qeveria italiane po punon që “kompanitë të kenë një fuqi punëtore të trajnuar për punën që do të bëjnë dhe veçanërisht për sfidat e së sotmes dhe së nesërmes”.
“Kjo lidhet veçanërisht me transformimin ekologjik dhe dixhital në botën e punës”, shtoi Calderone, duke vënë në dukje se qëllimi kryesor është të punësojë “çdo qytetar të Italisë”.
Mungesa e fuqisë punëtore është veçanërisht e theksuar në turizëm, sipas shoqatës Assoturismo Confesercenti.
Sektori i hotelerisë ankohet për reagimin e dobët ndaj ofertave, por edhe për mungesën e kualifikimeve të kandidatëve për punë.
Bujqësia në muajt e verës dhe sezonin e korrjes ka nevojë për të paktën 100,000 punëtorë, njoftoi shoqata bujqësore Coldiretti.
Ata theksuan se kanë nevojë urgjente për traktoristë, kopshtarë dhe fruta-perime.
Ata po kërkojnë gjithashtu punëtorë të kualifikuar në sektorin dixhital, si teknikë bujqësorë që dinë të përdorin dronët, të lexojnë të dhënat meteorologjike dhe të përdorin mjete IT.