Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka shkaktuar dëme të rënda në forcat e saj speciale dhe komandot e stërvitura të dislokuara në numër të madh në vijat e frontit kanë pësuar humbje të mëdha, sipas dokumenteve të zbuluara ushtarake amerikane.
Mbështetja e tepërt e komandantëve rusë në njësinë e operacioneve speciale Spetsnaz ka bërë që zyrtarët amerikanë të spekulojnë se Moskës do t’i duhen disa vite për ta rindërtuar atë.
Zyrtarët amerikanë besojnë se forca komando pësoi humbje marramendëse dhe mbeti e varfëruar pasi komandantët rusë e vendosën atë në ditët e para të luftës për të kapur vrullin, sipas një shkrimi të Washington Post mbi dokumentet e ndjeshme.
Vlerësimi bazohet në imazhet satelitore para dhe pas që, sipas zyrtarëve amerikanë, zbulojnë se “të gjitha përveç njërës nga pesë brigadat speciale ruse Spetsnaz që u kthyen nga operacionet luftarake në Ukrainë në fund të verës 2022 pësuan humbje të konsiderueshme”.
Dokumentet nuk specifikojnë numrin e komandove të vrarë në luftën në Ukrainë, ku nga 900 anëtarë të dislokuar, mbetën vetëm 125.
Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se Rusisë do t’i duhet gati një dekadë për të rindërtuar forcat e saj speciale.
Fotot nga ditët e para të luftës në Ukrainë treguan ushtarët e Spetsnaz-it që mbërrinin në Kharkiv, Mariupol dhe Donbas pasi njësitë e motorizuara konvencionale u përballën me vështirësi.
Dokumentet thonë se humbjet e mëdha midis forcave speciale ruse do të kenë pasoja afatgjata, duke përfshirë mundësinë e trajnimit të grupeve paraushtarake “që Rusia i ka përdorur për interesat e saj jashtë vendit”.