Një grua 56-vjeçare në Kinën jugore ka vdekur pasi rezultoi pozitive për gripin e shpendëve H3N8, vdekja e parë në një popullatë nga lloji i gripit të shpendëve, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Megjithëse H3N8 është “një nga nëntipet më të zakonshme” të gripit të shpendëve, ai nuk ishte zbuluar te njerëzit përpara se të shfaqeshin dy raste në prill dhe maj të vitit të kaluar, të dyja në Kinë.
Në një deklaratë, OBSH tha se gruaja, e cila kishte kancer, u shtrua në spital me pneumoni të rëndë pasi u sëmur në shkurt.
Ajo u nda nga jeta muajin e kaluar.
“Rasti u zbulua përmes sistemit të mbikëqyrjes së infeksioneve të rënda akute të frymëmarrjes (SARI). Asnjë kontakt i afërt me rastin nuk shfaqi infeksion ose simptoma të sëmundjes në kohën e raportimit”, tha OBSH në një deklaratë.
Të tre personat që u infektuan me H3N8 në Kinë mendohet se janë ekspozuar ndaj virusit në tregjet e shpendëve të gjalla.
Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara tha se qeveria kineze ka rritur monitorimin e llojit dhe rreziku i infeksioneve të reja është i ulët.
“Sidoqoftë, për shkak të natyrës në zhvillim të vazhdueshëm të viruseve të gripit, OBSH vazhdon të theksojë rëndësinë e mbikëqyrjes globale për të zbuluar ndryshimet virologjike, epidemiologjike dhe klinike të lidhura me viruset që qarkullojnë që mund të ndikojnë në shëndetin e njerëzve ose të kafshëve”, thuhet në deklaratë.