Autoritetet e qytetit të Nju Jorkut kanë zbuluar tre pajisje të reja policore të teknologjisë së lartë, duke përfshirë një “qen robot” që kritikët e quajtën “të frikshëm” 2 vjet e gjysmë më parë kur u shfaq për herë të parë.
Pajisjet e tjera të reja — një gjurmues GPS për makinat e vjedhura dhe një robot konik vetë-drejtues për të monitoruar vendet publike — do të përdoren në një mënyrë që të jetë “transparente, konsistente dhe gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me njerëzit të cilëve u shërbejmë”, tha shefi i policisë Keechant Sevell.
Ajo tregoi një robot vëzhgues dhe një “qen” mekanik me nofkën “DigiDog” në një konferencë shtypi në Times Square me kryebashkiakun Eric Adams dhe zyrtarë të tjerë.
Qeni i parë robotik i policisë së qytetit u punësua në vitin 2020 nga paraardhësi i Adams, atëherë kryebashkiaku Bill de Blasio, por kontrata për pajisjen u ndërpre pasi kritikët e përqeshën atë si “të frikshëm dhe distopik”.
Megjithatë, kryebashkiaku aktual Adams tha se nuk do t’i përkulej presionit të kundërshtarëve të qenve robotë sepse, tha ai, “ai po shikon atë që është më e mira për qytetin”.
Adams tha se DigiDog i telekomanduar, i cili peshon 32 kilogramë, do të përdoret në situata me rrezik të lartë duke filluar nga kjo verë.
“Nëse keni një të dyshuar të barrikaduar, nëse keni dikë që është në ndërtesë që është i armatosur, në vend që të dërgoni policinë brenda, ju po dërgoni një ‘DigiDog’”, tha Adams.
Një sistem gjurmimi i quajtur “StarChase” do të lejojë policinë të gjurmojë një makinë të vjedhur duke përdorur një etiketë GPS. Aktualisht është një program provë që do të zgjasë 90 ditë.
“Roboti autonom i sigurisë”, të cilin kryebashkiaku Adams e krahasoi me një fshesë me korrent robotik Roomba, do të patrullojë stacionin e metrosë në Times Square duke filluar këtë verë në një provë shtatë-mujore.
Kjo pajisje vetëlëvizëse, e cila prej disa vitesh përdoret në qendrat tregtare dhe gjetkë, fillimisht do të funksionojë në një stacion metroje e shoqëruar nga punonjës policie.