Gjykata Anti Korrupsion dha këtë të martë vendimin për të dënuar me 3 vite e 6 muaj burg, ish shefin e Krimeve në Elbasan, Leonard Palushi. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, Palushi do të vuajë 2 vite dhe 4 muaj heqje lirie, pasi u akuzua për korrupsion.
Palushi u arrestua një vit më parë, në kuadër të operacionit “Golden Bullet”, mes 31 urdhër arresteve të tjera, por gjykimi i tij u krye veçmas.
Edhe pse në gjykatë ish-shefi i Krimeve kërkoi pafajësi, duke thënë se është i ndershëm dhe se i ka shërbyer vendit, SPAK, arriti të provonte se ai ka dhënë orientim të gabuar gjatë hetimeve mbi vrasjen e Emiljano Ramazanit në Elbasan.
Emiljano Ramazani u ekzekutua në korrik të 2020 me pesë plumba në makinën e tij.
Palushi u dënua për korrupsion pasiv, tjetërsimin e provave të vrasjes së Emiljano Ramazanit, i shtyrë nga Erjon Alibej me qëllim për të ndjekur penalisht persona të pafajshëm dhe për t’ju kundërvënë grupit të Talo Çelës.
Nga hetimet, ka rezultuar se në datën 27 korrik të 2020, me kërkesë të Erjon Alibejt, Leonard Palushi ka dhënë informacione mbi vendodhjen e armës tek servisi i Manahasëve, me qëllim që sipas kërkesës së Alibejt, të krijohej konflikt midis dy grupeve.
Pas përfundimit të hetimeve të SPAK, është provuar se Palushi ka marrë më 23 qershor nga i hetuari Erjon Alibej, një makinë tip “Mercedes Benz”.
Palushi i porositur nga Erion Alibej financuesi i vrasjes së Emiljano Ramazanit, ka bërë gjithçka për të prishur hetimet, ndërkohë që si alibi kishte edhe faktin se nuk ishte në punë.