Vladimir Putin kur u quajt nga homologu i tij amerikan Joe Biden si “vrasës” në vitin 2021 ia ktheu akuzën në këtë mënyrë.
“Më kujtohet në fëmijërinë time, kur grindeshim në oborr, thoshim: duhet të jesh vetë që ta dallosh një të tillë”. tha ai për televizionin shtetëror. “Kjo nuk është vetëm një thënie apo shaka e fëmijëve. Ne gjithmonë i shohim tiparet tona te njerëzit e tjerë dhe mendojmë se ato janë si ne në të vërtetë. Dhe si rezultat ne vlerësojmë aktivitetet [e një personi] dhe japim vlerësime”.
Në këtë prizëm ambasadorja e SHBA-ve në vendin tonë, Yuri Kim teksa iu referua shpalljes non grata të Sali Berishës tha se është e gabuar që ky person të zgjidhet si përfaqësues i popullit shqiptar.
Por, vetë diplomatja amerikane është e shpallur non grata nga autoritetet turke edhe pse ky lajm është zhdukur nga web-i.
Prokurorët turq që mbikëqyrin çështjen kundër 16 shtetasve vendas të cilët morën pjesë në protestat e parkut Gezi të vitit 2013, kanë përfshirë regjistrimet telefonike të një bisede mes një të pandehuri dhe një individi që duket të jetë Yuri Kim, drejtoresha asokohe në detyrë e Zyrës për Evropën Jugore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Kur ajo u shpreh se është e gabuar që shqiptarët të votojnë për Berishën, praktikisht nënkuptoi që demokratët duhet të enden për kandidatë në ambasadën amerikane ose të presin që të firojë nga qielli ndonjë teknokrat.
E gjitha kjo në një tentativë të dëshpëruar për të mbrojtur njëanshmërinë e saj ndaj autoriteteve qeverisëse dhe këtu nuk i referohemi domosdoshmërish vetëm kryeministrit Rama.
Një nga pinjollët e pushtetit që la pas mandati i saj pothuajse skandaloz i mbushur me deklarata unilaterale dhe aspak diplomatike është pikërisht Erion Veliaj.
Ndërsa plaga e hapur e aferës McGonigal nuk pasoi asnjë koment nga ana e saj edhe pse u regjistrua në mesin e ditës pikërisht gjatë mandatit i cili ka përfunduar prej kohësh, Kim kujdeset që të shënjestrojë vetëm Berishën dhe hera-herës drejtësinë e re ku pjesë bën dhe diplomatja amerikane përgjatë ngritjes së dy strukturave SPAK dhe BKH.
Ambasadori i ri amerikan në Tiranë David J. Kostelancik do të jetë komplet një panoramë tjetër e një ambasadoreje që mësoi shumë mirë ndoshta paratë shqiptare por jo gjuhën shqipe.
Kostelancik edhe pse pret mandatimin zyrtar nga Senati Amerikan do të vijë për të luftuar korrupsionin aktiv jo më atë pasiv.
Diçka që Yuri Kim nuk arriti dot ta realizojë edhe pse e proklamoi me barin dhe zjarrin e një force politike që ka prekur batakun si Partia Demokratike.
Berisha nuk e vuan më të qenurit non grata, përkundrazi e manifeston si një emërtim të një betejë të gjatë mes tij dhe diplomates në ikje Yuri Kim.
Kjo ishte një ambasadore që s’kishte nevojë asnjë ditë për “Yuri”.