Në Romë u ndaluan tre aktivistë të nismës “Gjenerata e fundit”, të cilët hodhën lëngun e zi, që duhej të simbolizonte naftën, në një shatërvan në qendër të qytetit.
Këtë e bën të ditur ANSA.
Dy të rinj dhe një vajzë sollën ujë, të lyer me qymyr të zi dhe e derdhën në shatërvanin barok Barcaccia në Plaza de España.
Duke komentuar veprimin e tyre, ata theksuan se e konsiderojnë të pamjaftueshme politikën aktuale të qeverisë për të ndalur ndryshimet katastrofike klimatike, të cilat kërcënojnë kolapsin ekonomik dhe social në shumë vende dhe migrimin e pakontrolluar.
“Ka vetëm një mënyrë për të ndaluar këtë lëvizje drejt vetëvrasjes kolektive – për të ndaluar emetimet nga lëndët djegëse fosile… Ne i kërkojmë qeverisë të ndalojë investimin në gjëra që janë të dëmshme për mjedisin”, thanë aktivistët.
Menjëherë pas kësaj ata janë ndaluar nga policia, të rinjtë kërcënohen me akuzën e dëmtimit të pronës publike.
Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri dënoi veprimin, duke vënë në dukje se Roma tashmë po zbaton politika për të arritur neutralitetin e klimës.
“Duke rrezikuar dëmtimin e objekteve të trashëgimisë sonë kulturore, ne nuk do ta ndihmojmë mjedisin në asnjë mënyrë… Jemi të gatshëm të takohemi dhe të bisedojmë se si t’i shtojmë përpjekjet tona – por veprime të tilla nuk janë opsion”, tha ai.
Për këtë veprim ka reaguar edhe ministri i Kulturës Gennaro Sangiugliano.
“Është koha të themi mjaft: kemi të bëjmë me vandalizëm sistematik të trashëgimisë sonë artistike dhe kulturore dhe nuk ka të bëjë me mbrojtjen e mjedisit. Kushdo që dëmton trashëgiminë historike duhet të ndëshkohet ashpër”, tha ai.
Kujtojmë se kohët e fundit aktivistët e “Gjeneratës të fundit” organizojnë rregullisht aksione për të tërhequr vëmendjen në muzetë dhe galeritë e artit të një sërë vendesh evropiane, duke u ngjitur pas ekspozitave apo duke i hedhur bojë, por në mënyrë të tillë si për të mos i dëmtuar ato.