Policia e Tiranës ka goditur ditën e sotme një rrjet të shpërndarjes së lëndëve të forta narkotike në Tiranë. Policia ka arrestuar 31-vjeçarin Armando Papa, banues në Fushë Kuqe të Kurbinit, ndërkohë që është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij me inicialet R.G. me origjinë nga Sukthi.
Në mjetin tip ‘Benz’ që udhëtonte Armando Papa u sekuestruan 41 kg e 700 gram heroinë. Sipas burimeve dyshohet se lënda narkotike vinte nga Turqia. Papa është ndaluar nga policia për kontroll në rrethrrotullimin e aeroportit dhe në bagazhin e makinës i është gjetur e fshehur lënda narkotike e ndarë në 62 pako.
Armando Papa, i cili shfaqet në foton e mësipërme, ka kyçur gojën para hetuesve gjatë dëshmisë së marrjes në pyetje. I riu nuk ka treguar asgjë mbi bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm dhe as destinacionit për ku ishte nisur për të dërguar lëndën narkotike. Sasia e heroinës së sekuestruar kap vlerën e mbi gjysmë milioni euro në treg, nëse do të ishte shitur. Burime nga policia bëjnë me dije se origjina e lëndës narkotike dyshohet se ishte nga Turqia. Armando Papa rezulton me precedent të tjera penale në fushën e drogës dhe jo vetëm.
Bashkëpunëtori i shpallur në kërkim me inicialet R.G. ka qenë në makinë tjetër gjatë momentit të ndërhyrjes për arrestimin dhe ka mundur të largohet. Policia po punon për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Grupi hetimor dyshon se heroina ishte gati për tu shitur në treg, kryesisht në Tiranë, pasi kohët e fundit në kryeqytet është shtuar ndjeshëm përdorimi i heroinës.