Në Fakultetin e Arteve Dramatike në Shkup “Shën Kirili dhe Metodi”, për dekan është zgjedhur profesori Besfort Idrizi.
Idrizi është shqiptari i parë që emërohet dekan i këtij fakulteti, duke thyer shumë tabu.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Idrizi me anë të një postimi, duke theksuar se ndjen një përgjegjësi të madhe ndaj kësaj pozite, pasi drejton fakultetin ku vetë ka studiuar dhe profesorë ka pasur kolegët e tij.
“Sot jam zgjedhur dekan i Fakultetit të Arteve Dramatike në Shkup nga profesorët e fakultetit, me besimin e kësaj detyre jo vetëm që më është bërë një nder i jashtëzakonshëm, por e pranoj edhe si detyrë me shumë moral, obligim, sidomos duke pasur parasysh se do të më duhet të drejtoj institucionin ku kam studiuar, dhe ku kolegët e mi kanë qenë profesorët e mi nga të cilët kam mësuar dhe vazhdoj të mësoj. Ndjej një detyrim edhe më të madh ndaj studentëve të tanishëm dhe të ardhshëm, të cilët janë shpirti i fakultetit dhe të cilit duhet t’i ofrojmë arsim cilësor si parakusht për të ardhmen e tyre të ndritur. Shpresoj që atmosfera aktuale pozitive të na ndjekë gjithmonë dhe së bashku të krijojmë kushte më të mira për punë dhe studime, si dhe të prodhojmë profesionistë me të cilët të gjithë të krenohemi”, shkruan ai.