Euro ka rënë sërish poshtë kufirit të 114 lekëve në kursin e këmbimit me lekun.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të martën me 113.98 lekë, duke shënuar rënie për të tretën ditë radhazi. Aktualisht, euro ndodhet përsëri pranë niveleve më të ulëta për vitin 2023, shumë afër vlerës prej 113.97 lekë që ishte shënuar më datë 13 mars.
Agjentët e këmbimit valutor mendojnë se kjo është një situatë në vazhdimësinë e presioneve nënçmuese të tregut mbi monedhën europiane, të vërejtura qartë qysh vitin e kaluar. Faktori mbizotërues, sipas tyre, ngelet oferta e bollshme e euros në tregun valutor, përkundrejt një kërkese për monedhën europiane që në vijimësi vlerësohet si e dobët.
Duke analizuar faktorët kryesorë që ndikojnë kursin e këmbimit, pozitat e forta të lekut kundrejt euros mund të shpjegohen me disa element. Vitin e kaluar, bilanci i pagesave shënoi përmirësim. Deficiti i llogarisë korrente u reduktua me 7.5% krahasuar me një vit më parë. Ky përmirësim u ndikua nga ecuria pozitive e eksportit të shërbimeve, sidomos vitit rekord të turizmit, ku të ardhura në terma neto prekën rekordin historik prej 1.07 miliardë eurosh, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë. Një efekt pozitiv po jep edhe zëri i të ardhurave dytësore, ku dërgesat e emigrantëve prekën nivelin më të lartë që prej vitit 2008.
Paralelisht, edhe flukset në llogarinë financiare prekën vlera rekord. Investimet e huaja arritën vlerën historike rekord prej 1.37 miliardë eurosh, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë. Këto shifra shpjegojnë në një masë të madhe ecurinë në rritje të flukseve të valutës në ekonominë shqiptare, pa llogaritur këtu prurjet informale, që është e vështirë të vlerësohen, por që në perceptimin e agjentëve të tregut kanë një rol të rëndësishëm në ofertën e valutës.
Në teori, një lloj ndikimi në kursin e këmbimit mund të kenë pasur edhe politikat me natyrë shtrënguese që kanë prekur ofertën e monedhës kombëtare. Banka e Shqipërisë në 12 muajt e fundit ka rritur normën bazë të interesit për pesë here, nga niveli 0.5% në 3%.
Kjo rritje ngelet gjithsesi më e ulët se rritja e normës bazë të euros. Nga ana tjetër, edhe politika fiskale ka pasur një natyrë konsoliduese gjatë vitit të kaluar dhe deficiti buxhetor pësoi rënie me 8% krahasuar me një vit më parë. Këto zhvillime kanë bërë që rritja vjetore agregatit monetar M2 (paraja jashtë bankave dhe depozitat në lekë të rezidentëve përfshira në paranë e gjerë, përjashto llogaritë dhe depozitat e qeverisë) të bjerë në nivelet më të ulëta në katër vitet e fundit.
Efektet e mbiçmimit të monedhës janë të favorshme për një pjesë të aktorëve ekonomikë, por të dëmshme për disa të tjerë. Forcimi i lekut ka zbutur ndjeshëm presionet inflacioniste nga importi dhe është një ndër faktorët që ka ndikuar në nivele më të ulëta të inflacionit krahasuar me ekonomitë e tjera europiane. Në këtë mënyrë, mbiçmimi i euros ka ndikuar pozitivisht sektorin importues, mbizotërues në ekonominë shqiptare, por edhe konsumatorët. Efektet janë pozitive edhe për kredimarrësit në euro, që i kanë të ardhurat e tyre në lekë. Kjo ka zbutur pjesërisht efektin e rritjes së normave të interesit të kredive, të përcjellë sidomos nga kreditë me interes të ndryshueshëm nga rritja e treguesit referues, Euriborit.
Nga ana tjetër, forcimi i lekut ndaj euros është një zhvillim negativ për sektorin eksportues të ekonomisë, që siguron të ardhura në valutë dhe që shpenzimet i kryen përgjithësisht në lekë. Rënia e euros dhe trysnitë e forta për rritjen e pagave që po ushtron tregu i punës ndikojnë negativisht marzhet dhe konkurrueshmërinë e eksportuesve, sidomos në sektorëin e fasonerisë.
Humbje nga nënçmimi i euros në teori kanë edhe subjektet që kanë kursime në monedhën europiane dhe shpenzime në lekë, por sidoqoftë ky efekt është relativ, duke pasur shkallën e lartë të euroizimit të ekonomisë së brendshme./ Monitor