Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) i ka kërkuar administratës amerikane të ndërmarrë hapat e nevojshëm në lidhje me shkeljen e të drejtave të popullit palestinez nga Izraeli.
Sekretari i Përgjithshëm i GCC-së Jassim Al-Budaiwi deklaroi në një deklaratë se ministrat e jashtëm të anëtarëve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, përkatësisht Arabisë Saudite, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Kuvajtit, Omanit dhe Bahreinit, i dërguan një letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Anthony Blinken.
Al-Budaiwi deklaroi se Uashingtonit i kërkohet të përmbushë detyrimet e tij dhe t’i përgjigjet të gjitha shkeljeve dhe deklaratave të Izraelit të drejtuara kundër popullit palestinez, transmeton Anadolia.
Ai shtoi se administratës amerikane i është kërkuar të ndërmarrë hapa për të arritur një zgjidhje të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, duke përfshirë të drejtën e popullit palestinez për të krijuar shtetin e tyre brenda kufijve të vitit 1967 me kryeqytet Al-Kuds (Jerusalemin) Lindor.
Tensionet janë rritur në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar në muajt e fundit pas sulmeve të shumta izraelite në qytetet palestineze.
Afro 90 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite që nga fillimi i vitit, sipas shifrave palestineze. Katërmbëdhjetë izraelitë u vranë gjithashtu në sulme të veçanta gjatë së njëjtës periudhë.