Sipas burimeve parlamentare, qeveria e Olaf Scholz ka arritur një marrëveshje që i hap rrugën një thjeshtësimi të procedurës administrative për personat që dëshirojnë të ndryshojnë gjininë, gjë që kërkohet prej kohësh nga komuniteti LGBT+.
“Si grup parlamentar i SPD-së, ne shprehimisht mirëpresim faktin që ligji për vetëvendosjen më në fund po ecën përpara”, tha për AFP Jan Plobner, zëdhënësi i Partisë Social Demokratike për çështjet transgjinore në Bundestag.
Sipas kësaj marrëveshjeje, të zbuluar nga e përditshmja Süddeutsche Zeitung, personat transgjinorë, interseks dhe jobinarë në të ardhmen do të duhet të japin një vetëdeklarim të thjeshtë nëse dëshirojnë të ndryshojnë emrin ose përmendjen e gjinisë në regjistrin e gjendjes civile.
Procedurat në këtë fazë janë të përcaktuara nga një ligj i viteve 1980, i cili de facto e konsideron transidentitetin si një sëmundje mendore: personat që dëshirojnë të ndryshojnë gjininë duhet të paraqesin dy raporte psikologjike dhe është gjykata kompetente e rrethit ajo që vendos.
Procedura është e gjatë, e kushtueshme dhe konsiderohet degraduese nga të interesuarit.
Për fëmijët nën 14 vjeç, vetëm prindërit ose kujdestarët mund të fillojnë një procedurë.
Për ata mbi 14 vjeç, prindërit e të cilëve kundërshtojnë procesin, një gjykatë do të duhet të vendosë.
Ka edhe kohë për reflektim. Vetëm pas tre muajsh do të hyjë në fuqi ndryshimi i gjinisë në gjendjen civile. Një kërkesë e re e mundshme për të ndryshuar gjininë do të jetë e mundur vetëm pas një viti.
Qeveria e socialdemokratit Olaf Scholz, aleate me të Gjelbrit dhe Liberalët, është e përkushtuar për të luftuar diskriminimin e vuajtur nga komuniteti LGBT+.
Në nëntor 2022, ajo miratoi një plan të gjerë veprimi që parashikonte, ndër të tjera, një ankorim specifik të së drejtës së tyre në Kushtetutë.