Kosova i është bashkuar sanksioneve të SHBA-së kundër kompanisë ushtarake private ruse Wagner, duke e cilësuar atë një organizatë kriminale de facto transnacionale.
Euractiv shkruan për këtë.
Në janar, Thesari i SHBA vendosi sanksione kundër grupit Wagner.
Të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi aderimin e vendit ndaj vendimit, duke thënë se mercenarët “kërcënojnë dhe minojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
Zëvendës kryeministri Besnik Bislimi tha se sanksionet amerikane synojnë të zvogëlojnë aftësinë e Rusisë për të bërë luftë kundër Ukrainës.
“Për këtë arsye, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diaspora e Kosovës propozon plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat po zbatohen nga Republika jonë pas detyrimeve ndërkombëtare ndaj Wagner-it si partnerë të tyre dhe kompani të tjera që mbështesin fushatën ushtarake ruse”, shtoi ai.
Por arsyet që Kosova të vendosë sanksione ndaj PMC Wagner mund të vijnë edhe nga aktivitetet e grupit në Ballkanin Perëndimor.
Në janar, u raportua se grupi po rekrutonte luftëtarë në rajon përmes lidhjeve me organizatat e krahut të djathtë.
Kjo shkaktoi një reagim nga Shtetet e Bashkuara dhe ndoshta e shtyu Departamentin e Thesarit të vendoste sanksione shtesë.