Inflacioni në Britaninë e Madhe u përshpejtua sërish në shkurt, i nxitur nga rritja e përshpejtuar e çmimeve të ushqimeve dhe rritja e vazhdueshme e fortë e çmimeve të energjisë për familjet, treguan të dhënat nga Zyra e Statistikave.
Norma e inflacionit u rrit në 10.4 për qind në shkurt, nga 10.1 për qind në muajin e kaluar, që do të thotë se rritja e çmimeve u përshpejtua për herë të parë që nga tetori, transmeton Hina.
Një nga nxitësit kryesorë të inflacionit në muajin shkurt ishte rritja e përshpejtuar e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, me 18 për qind krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar, pas një rritjeje prej 16,7 për qind në muajin janar, në periudhën e mungesës së perimeve në shumë supermarkete.
Domatet, specat dhe kastravecat ishin veçanërisht të vështira për t’u gjetur për tregtarët, kryesisht për shkak të kushteve ekstreme të motit që preknin të korrat në Spanjë dhe Afrikën e Veriut, vëren BBC.
Mungesa u shoqërua nga çmimet e larta të energjisë që prekën kultivuesit vendas dhe problemet në zinxhirët e furnizimit.
Rritja e fortë e çmimeve të ushqimeve u shkaktua nga rritja e çmimeve të perimeve për shkak të kostove të larta të energjisë dhe kushteve të këqija të motit, të cilat çuan në mungesa dhe racione në disa pjesë të Evropës, tha Grant Fitzner, Kryeekonomist i Zyrës së Statistikave.
Kostot e banesave ishin 26.6 për qind më të larta se në shkurt 2022, me pothuajse të njëjtën normë rritjeje si në janar, për shkak të çmimeve më të larta të energjisë elektrike dhe gazit.
Banka qendrore britanike (Banka e Anglisë) do të vendosë në seancën e saj të së enjtes nëse do të rrisë, ulë apo do të mbajë normat e interesit në nivelin aktual për të frenuar inflacionin.
Që nga dhjetori 2021, i ka rritur ato dhjetë herë për të ulur konsumin përmes huamarrjes më të shtrenjtë.