Kur kanë kaluar 10 ditë nga atentati me një të vrarë dhe 5 të plagosur në ‘Don Bosko’, policia ka bërë me dije se është drejt zbardhjes së ngjarjes. Në një deklaratë për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj thotë se ka informacione për persona konkretë të përfshirë në atentati, mirëpo ka zgjedhur që të mos japë më shumë detaje për shkak të sekretit hetimor.
‘Është një hetim që do të marrë kohen e nevojshme. Ka informacione për persona konkrete të përfshirë në këtë ngjarje. Nuk mund të japim detaje në këto momente, por nëse do të kemi informacion do ua përcjellim.’- tha Vocaj.
Nga atentati në ‘Don Bosko’ mbeti viktimë 58 vjeçarja Mimoza Paja dhe u plagosën 5 persona të tjerë. Vrasja në ‘Don Bosko’, mendohet se ka ardhur në shenjë hakmarrjeje nga grupi i Ervis Martinaj ndaj Fatjon Muratit, pasi dyshohet e ky i fundit ka marrë pjesë në atentatin në Fushë Krujë në 2022, me 3 të vrarë mes tyre edhe Brilant Martinaj, kushëriri i “bosit të lojërave të fatit”, i cili prej 9 gushtit rezulton i zhdukur.