Komisioni Evropian propozoi të lejojë shitjen e makinave të reja me motorë me djegie të brendshme edhe pas vitit 2035 nëse ato përdorin e-karburantet neutrale ndaj klimës, sipas një dokumenti të parë nga agjencia britanike Reuters.
Duke iu nënshtruar presionit gjerman, Komisioni sugjeroi që automjete të tilla mund të jenë ndër ato të lejuara që nga viti 2035, me kusht që zgjidhjet e reja teknologjike t’i pengojnë ato të drejtohen nëse përdorin lëndë djegëse të ndryshme nga ato ekologjike, sipas propozimit të Komisionit për Ministrinë gjermane të Transportit.
Berlini zyrtar njoftoi më parë se bisedimet me Komisionin për ndalimin e planifikuar të motorëve të rinj me djegie të brendshme nga viti 2035 po përparojnë, por se nuk mund të thotë se kur do të arrihet një marrëveshje.
Pas muajsh negociatash, Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të BE-së vitin e kaluar ranë dakord për një ligj që do të ndalonte shitjen e makinave me motorë me djegie të brendshme nga viti 2035.
Por Gjermania shpalli kundërshtimin e saj në minutën e fundit, duke kërkuar që makinat e reja me motorë me djegie të brendshme të lejohen të shiten pas kësaj date, nëse ato furnizohen me e-karburant.
Ndërkohë, ministrja franceze e Çështjeve Evropiane, Laurence Boone hodhi poshtë kundërshtimin gjerman ndaj një ligji që do të kërkonte që makinat e reja të shitura në BE të kenë zero emetime CO2 nga viti 2035. Sipas saj, marrëveshja e mëparshme duhet të mbështetet.
“Ne duhet t’i përmbahemi asaj që është rënë dakord. Nuk kam dyshim se gjermanët do të gjejnë një marrëveshje me kolegët e tyre për këtë,” u tha ministri Boone gazetarëve në Bruksel.