Një status i deputetit Toni Gogut, në të cilën e bëri Hajredin Pashën, hero të dibranëve, nxori në pah, ndonëse jo surprizë, injorancën që gëzon një pjesë e mirë e klasës së politikës në Shqipëri, por jo vetëm. Kënga që në gjuhën e përditshme njihet si kënga e Hajredin Pashës, hoqi “mantelin e zgjuarsisë” që shoqëria jonë tradicionale shqiptare e mban veshur kur vjen puna te e kaluara jonë, te historia, që për fat të keq ka edhe individë që kërkojnë edhe ta shtrembërojë. Në rastin e Hajredinës Pashës, mund të themi me bindje që ka ardhur si rrjedhojë e paditurisë.
Mirëpo nga vjen kjo padituri? Kaq ka mjaftuar për të ngritur disa pikëpyetje e për të shkuar drejt përgjigjes, që duket e vështirë për të pasur vetëm një! Së pari, si bëhet lënda e historisë së Shqipërisë në shkolla? A ka nevojë për më shumë orë mësimi të së kaluarës së atdheut, betejat më të rëndësishme që ka kryer vendi ynë drejt rrugëtimit të vështirë dhe të gjatë për t’u bërë një shtet i pavarur dhe i lirë. Sa e ndjeshme është shoqëria përballë këtyre situatave? Nga statusi rezultoi që nuk pati një reagim të ashpër, për një deputet që kishte bërë një gafë, që ndoshta në vende të tjera të Europës, mund të kishte kushtuar edhe mandatin e deputetit. Toni Gogu, ndonëse e kuptoi gabimin, minimalisht do duhet të kërkonte një ndjesë, por nuk e bëri një gjë të tillë. Ai me shpejtësi e modifikoi statusin me qëllim për ta kaluar sikur asgjë nuk mund të ndodhte.
Injoranca vijon edhe më tej me një kundërpërgjigje që erdhi nga ana e ish presidentit Ilir Meta, i cili mes rreshtave citoi një hero të Dibrës që sipas tij kishte luftuar dhe kishte marrë pjesë në betejat kundër Hajredin Pashës.
“Vetëm ‘Rilindja’ mund ta ngatërronte Hajredin Pashën, me Legjendën e Dibrës dhe të mbarë kombit, Elez Isufin’, shkruan Meta në Facebook.
Në fakt, Elez Isufi, një nga emrat e njohur të luftrave për liri në zonën e Dibrës, ka lindur 20 vite më vonë betejës së zhvilluar në Fushën e Gjoricës, në vitin 1844, për të cilën bën fjalë kënga e njohur e “Hajredin Pashës”. Pra kjo mungesë informacioni sa vjen dhe bëhet edhe më e dukshme, pasi në ndryshim nga rasti i deputetit Toni Gogu, te ish presidenti mund të merret e mirëqenë që pas tij qëndron një staf me këshilltarë që momente dhe personazhet më kulminatë të historisë së Shqipërisë do duhet t’i njohin. E thënë me fjalë të thjeshta, u konfirmua edhe njëherë që na përfaqësojnë individë që nuk respektojnë historinë, në një shoqëri që një gafë të tillë nuk e konsideron të arsyeshme për të nxitur reagimin e tyre, pasi çdo ditë po përballen me skandale shumë herë më të mëdha, ku vidhen dhe gënjehen çdo ditë.
Nga ana tjetër, duke mos u konsideruar si një shfajësim i 2 përfaqësuesve të politikës dhe për të mos zhbërë asgjë që është thënë më sipër, por e parë nga prizmin e qytetari të thjesht nga veriu në jug, për disa u desh ky status për të kuptuar “Hajredin Pasha” nuk qenkërshka heroi, por armiku. Subkoshienca e shumëkujt, por edhe tradita na ka mësuar se priremi që t’u thurim këngë heronjve, prandaj këtu mund të ndodh ngatërresa. Edhe emërtimi i saj, “kënga e Hajredin Pashës”, dhe jo “kënga kundër Hajredin Pashës”, mund të jetë një tjetër motiv për të qenë i dyzuar. Kjo e konfirmuar edhe nga këngëtarja Vera Laçi, me origjinë dibrane që e ftuar në një studio televizive tha se edhe ajo kur është njohur në fillim me këtë këngë, mendimi i parë ka qenë se bëhej fjalë për një hero, mirëpo me leximin e çdo fraze dhe strofe të saj, është lehtësisht e dallueshme që nuk i tillë.
E nisur nga kjo, në këtë artikull, ne do ju sjellim një analizë të tekstit dhe rrafshit historik të kohës për të kuptuar zanafillën e kësaj kënge.
Në Dibër, populli ngjarjet historike i ka përjetësuar në këngë. Të parët tanë, të cilët nuk dinin shkrim e këndim, nëpërmjet këngëve ruanin historinë. Një pjesë e tyre, gjatë kohës, humbën aktualitetin, u zbehën e mbetën rrugës. Por, në Dibër e jashtë saj, është një këngë që nuk harrohet. Kjo këngë daton rreth 170 vite më parë dhe i kushtohet luftës kundër gjeneralit famëkeq turk, Hajredin Pashës, më 1844. Një një artikull të gjatë për Dibrën, historiani Neritana Kraja tregon se si Hajredin Pasha, komandant turk, pësoi disfatë në luftë me shqiptarët, në mesin e shekullit XIX. Në betejën e vitit 1844 kundër ushtrisë turke, që udhëhiqej nga Hajredin Pasha, e gjithë Dibra luftoi me heroizëm e me një vendosmëri të madhe, sa që edhe gratë e fëmijët qenë të rreshtuar me luftëtarët e lirisë dhe pavarësisë. Përballë forcave numerikisht të shumta turke dhe të pajisura me artileri luftonin dibranët të vendosur për të mbrojtur Dibrën.
Nga mesi i shekullit 19-të Perandoria Turke shpalli Reformat e Tanzimatit, sipas të cilave viset shqiptare do të qeveriseshin nga qeveritarët turq, shqiptarët do të jepnin nizamë, do të paguanin taksa etj. Këto reforma centralizuese ishin përpjekje e Portës së Lartë për të përjetësuar sundimin turk mbi Shqipërinë. Këto masa ishin në kundërshtim me natyrën vetëqeverisese të Maleve të Dibrës, të cilat ishin përjashtuar nga shërbimi ushtarak dhe nga taksat. Prandaj këto reforma u kundërshtuan me forcë, kundërshtim që arriti kulmin me kryengritjen e përgjithshme, më 1844. Porta e Lartë e dinte se dibranët do ta kundërshtojnë Tanzimatin, prandaj punën e mori seriozisht në dorë vetë Sulltani. Për këtë qëllim në Dibër dërgoi Hajredin Pashën me forca të shumta ushtarake që, me çdo kusht, me zjarr e me hekur, të nënshtronte Malësinë e Dibrës. Me të marrë vesh ardhjen e ushtrisë turke, Mustafa Shehu i Zerqanit, lajmëroi të gjithë krerët e Dibrës të asaj kohe, të cilët organizuan të gjithë malësorët që, si një ortek i fuqishëm, u grumbulluan në Fushë të Gjoricës e te Kalaja e Homeshit.
Fusha e betejës së madhe ishte Gjorica, e cila ishte një ranishte e sheshtë, plot me plepa të mëdhenj shekullorë në anë të Drinit dhe kjo evidentohet edhe te teksti në tre vargjet e para të këngës.
Hajredin Pasha o po vjen o Radikës
Valle o ku jan o k’to malet e Dibrës
Valle ku jan o k’to male e Dibrës
Bejn’ o kuvend o mo n’ atë fushë t’Gjorices
Në fushë t’ Gjoricës o mor te kalaja
Hajredin Pashën e ka gjet belaja
Historiani Kraja vijon më tej duke sqaruar se Hajredin Pasha me 12 taborë, me oficerë e jeniçerë (kalorës), i pajisur me xhephane (armatim), niset drejt Dibrës. I lodhur nga rruga e gjatë prej Anadolli, u fut në Grykën e ngushtë të Radikës. I hipur mbi kalë, mendonte për Malet e Dibrës.
Por, në këtë kohë, ishte dhënë kushtrimi mbarëpopullor, për rrezikun që i kanosej vendit dhe popullit nga kjo ushtri dhe qe mbledhur në Kuvendin e Madh. Me shpejtësi të çuditshme, malësorët, te drejtuar nga prijësit e tyre, u grumbulluan pranë Drinit. Hajdredin Pasha qe përqendruar afër qytetit të Dibrës. Fusha e Dibrës ishte mbushur me çadra të panumërta. Asqerët turq kishin marrë urdhër të hapnin llogore pranë Drinit, por malësorët ishin të vendosur për të mbajtur vatanin e vet.
Me gjithë forcën e madhe që kishte, Pasha ua kishte frikën malësorëve. Prandaj ai kërkoi një delegacion për bisedime, ku i ftoi malësorët të hiqnin dorë nga kundërshtimi dhe t’i bindeshin Sulltanit. Dibranët nuk pranojnë, prandaj pashai fanatik, armik i shqiptarëve, jep urdhër të kthehen topat drejt malësive, ku zhvillohet një betejë e ashpër. Krahas burrave luftuan edhe gratë e fëmijët, e ky bashkim, tregohet edhe me anë të vargjeve.
Se belaja pashën c’e ka gjetë
Malet e Dibrës more ka lidhëbesë
Kane lidhë bese o, kane lidhë o të tanë
Turkut Dibrën o mos me ja lanë
Beteja vazhdoi 5 ditë. Populli në këngë thotë për 12 mijë të vrarë turq. Haki Stërmilli, te libri i tij historik në dorëshkrim “Dibra në prag të historisë“, i ndan të vrarët e Turqisë në dy pjesë sipas zhvillimit të saj, 3000 në Rekë dhe 9000 në Gjoricë.
Hajredin Pasha ku e ke o ushtrinë
Malete Dibrës o mor’ mi kan’ gri
N’Malet e Dibrës o kanë mbet të tanë e
Nuk janë pak o mor po 12000 mijë
Që Hajredin Pasha nuk ishte hero i dibranëve, mjaft vetëm ky varg për ta kuptuar. “Hutaq” nuk mund t’i thuhet një heroi…
Hajredin Pasha o mor’ ky hutaq e
S`lidhet Dibra more me kërbaçe
Beteja përfundoi me humbje të mëdha për të dyja palët e sidomos për ushtrinë osmane. Megjithatë, falë epërsisë numerike e teknike, ushtria osmane, pas luftimesh të përgjakshme, i detyroi kryengritësit të tërhiqeshin nga pozitat e tyre. Për t’u hakmarrë forcat osmane dogjën fshatra të tëra, të braktisura nga fshatarësia, e cila largohej për t’i shpëtuar terrorit të egër të ekspeditës osmane. Ndonëse kryengritja e sanxhakut të Dibrës u shtyp, Porta e Lartë u detyrua ta përjashtojë këtë krahinë nga reforma ushtarake deri në vitet 50 të shek. XIX, po ashtu si trevën e Shkodrës.
Ndonëse në tekst nuk përmenden emrat, kjo betejë u udhëhoq nga figura të njohura si Ilias Pashë Dibra, Sheh Mustafa Zerqani, Mustafa Ago Ostreni, Cen Leka, Rizvan Alla, Mane Cami, Salë Markja, Faslli Malja, Hazis Dema, Nel Hoxha, Llan Kaloshi, Shaqir Daci, Abdi Sturçja, Shaqir Jegeni etj.
Kjo këngë qëndron si një personifikim i historisë së lavdishme të Dibrës që duhet “bërtitur” me zë të lartë, ku këndohet nga të gjithë, të moshuar dhe fëmijë. Ajo ka ardhur fillimisht me anë të mjeshtërisë së artistit popullor Haziz Ndreu. Ishte viti 1957 kur ai redaktoi tekstin dhe punoi muzikën me një orkestrë prej 6 çiftelish dhe e regjistroi në Radio Tirana. Pra, i pari dhe ai që i dha origjinalitetin e kësaj kënge e që më pas është sjellë e kënduar nga disa artistë të tjerë si Qerim Sula, Vëllezërit Ibraim dhe Elmaz Lala, Vëllezërit Gashi, Zajaz Xhuma Dedja tradicionale me çifteli, Arif Vladi në skenë, Sinan Hoxha, Ermal Fejzullahu me përpunim bashkëkohor, Aida Doci apo Albina Kelmendi. / Nga Brunilda. K