Këshilli i Ministrave i Belgjikës miratoi të premten një projekt-ligj që parashikon njohjen zyrtare të budizmit në vend si një koncept filozofik jo-fetar.
Këtë e bën të ditur agjencia VRT.
Projektligji, i paraqitur nga ministri belg i drejtësisë, Vincent Van Quickenborn, nëse miratohet nga parlamenti, do të vendoste statusin zyrtar të budizmit në vend.
Kjo do ta vendoste budizmin në të njëjtin nivel me fetë dhe filozofitë e tjera të njohura në Belgjikë, duke përfshirë financimin nga buxhetet federale dhe rajonale dhe mundësinë e mësimit të tij në universitete dhe shkolla – por kjo e fundit është ende e hapur për debat.
Budistët gjithashtu do të jenë në gjendje të dërgojnë përfaqësues në burgje, ushtri, aeroporte dhe institucione të tjera, si dhe të transmetojnë programin e tyre në kanalet shtetërore.
Në Belgjikë, interesat e budistëve mbrohen që nga viti 1997 nga Unioni Budist Belg, i cili përfaqëson 35 shoqata budiste në vend, të cilat përfshijnë 150,000 njerëz.
Në vitin 2006, Unioni Budist Belg aplikoi për njohjen zyrtare të Budizmit dhe që nga viti 2008, ka marrë 200,000 euro në vit për aktivitetet e tij.
Pasi të njihet, 1.2 milionë euro do t’i shtohen kësaj shume çdo vit.
Budizmi do të bëhet koncepti i tetë filozofik i njohur zyrtarisht në Belgjikë pas feve – katolike, izraelite, anglikane, protestante-ungjillore, islame, ortodokse, si dhe konceptet filozofike laike.
Aktualisht, në Bashkimin Evropian, vetëm Austria e njeh Budizmin në nivel zyrtar.