OBSH tha të premten se shpresonte të ulte nivelin maksimal të alarmit për Covid-19 këtë vit, duke besuar se epidemia përfaqësonte një kërcënim të ngjashëm me gripin sezonal.
“Mendoj se po arrijmë në pikën ku mund ta shikojmë Covid-19 në të njëjtën mënyrë si e shohim gripin sezonal, i cili është një kërcënim për shëndetin, një virus që do të vazhdojë të vrasë, por një virus që nuk prish shoqërinë tonë ose sistemet tona spitalore”, tha shefi i programit të urgjencës së OBSH-së, Michael Ryan në një konferencë shtypi.
Krahas tij, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se ishte “shumë i kënaqur të vinte re se, për herë të parë, numri javor i vdekjeve të raportuara gjatë katër javëve të fundit ka qenë nën atë të regjistruar kur përdorëm për herë të parë fjalën ” pandemia’ tre vjet më parë”.
“Ne jemi sigurisht në një pozicion shumë më të mirë sot se në çdo kohë gjatë pandemisë,” vuri në dukje ai. Kështu ai u tregua “i sigurt” se OBSH mund të ulte nivelin e saj maksimal të alarmit “këtë vit”.
OBSH e kishte shpallur këtë “urgjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar” më 30 janar 2020 – kur bota kishte më pak se 100 raste dhe asnjë vdekje jashtë Kinës – por nuk ndodhi derisa Dr Tedros e quajti situatën pandemike, në mars 2020.
“Ne kishim shpallur një emergjencë globale shëndetësore për t’i nxitur vendet të ndërmarrin veprime vendimtare, por jo të gjitha e bënë,” kujtoi ai të premten. “Tre vjet më vonë, janë raportuar gati shtatë milionë vdekje nga Covid-19, megjithëse ne e dimë se numri i vdekjeve nga Covid-19 është më i lartë”, tha ai.