Një tunel i përshtatur në ‘shtëpi bari’ është zbuluar nga policia në Krujë. Gjatë finalizimit të aksionit “Tuneli”, në zonën e mbrojtur mjedisore në Krastë, u evidentua një ish-tunel i ushtrisë, në një zonë të vështirë kalimi, i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave. Policia ka arrestuar tre persona që akuzohen për kultivimin e kanabisit. Në pranga kanë rënë Haki Selimi, Rexhep Halili, Arlind Selim. Në ambientet e përshtatura për rritjen e bimës narkotike policia ka sekuestruar 390 rrënjë kanabisi, llamba, aspiratorë dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Në vijim të veprimeve hetimore u konstatua se tuneli furnizohej me energji elektrike të pandërprerë, nëpërmjet një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike, në shtyllën e tensionit në fshatin Halil, Fushë Krujë, lidhje për të cilën ka qenë e nevojshme patjetër ndërhyrja e specializuar e punonjësve të OSHEE-së së zonës.
Për këtë arsye janë arrestuar edhe 2 punonjës të OSHEE-së Ervis Halili elektricist, Oltjon Farruku elektricist. Gjithashtu janë shpallur në kërkim edhe dy punonjës të tjerë të OSHEE-së. Policia njofton se po kërkohen shtetasi S.K., me detyrë përgjegjës i grupit të OSHEE-së, i arrestuar dhe më parë për këtë paligjshmëri dhe shtetasi E.K., me detyrë elektricist i zonës. Ata akuzohen kishin lejuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike me të cilën furnizohej tuneli i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike.