“Bashkë fitojmë” do të jetë koalicioni i Ilir Metës dhe Sali Berishës për zgjedhjet e 14 majit. Pjesë e koalicionit janë Partia e Lirisë së Ilir Metës, PD e Sali Berishës, PBDNJ e Vangjel Dules dhe PDK e Nard Ndokës.
Në mungesë të shpresës që KQZ ta pranojë si pjesë përbërëse të aleancës Partinë Demorkatike të Berishës, koalicionin do ta udhëheqë Partia e Lirisë dhe Ilir Meta.
Bashkë me emrin është publikuar edhe logoja zyrtare. Logoja është dy duar të shtrënguara me ngjyrat rozë dhe blu.
Vetë Berisha e quajti koalicion të fituesve ndërsa shprehu bindjen se frika e kryeministrit Rama ndaj kësaj aleance ka nisur të ndihet.
Arritja e marrëveshjes për koalicionin “Bashkë fitojmë” u bë pas ditësh të tëra negociatash e takimesh mes Berishës e Metës, Ndokës e Dules. Në koalicion të përfshirë nuk janë parti të tjera të spektrit të djathtë, me të cilët kreu i Rithemelimit thotë se ka dakordësi politike për të mbështetur në terren kandidatët e dalë nga primaret për kryebashkiakë.