Zbardhet karriera e punonjësit të policisë që u arrestua ditën e djeshme. Altin Morina shefi i stërvitjes në RENEA, e ka nisur punën në polici për herë të parë në vitin 2006 në komisariatin numër 3, në sektorin e krimeve. Më pas në vitin 2010 ka kaluar tek kontrolli i brendshëm dhe më pas tek RENEA.
Në vitin 2015, ka qenë pjesë edhe tek FNSH e Tiranës. Në vitin 2015-ën Morina punonte si bodigard në një lokal nate. Në atë kohë është përjashtuar nga policia, pasi gjatë kohës që ndodhej në lokal është përfshirë në një konflikt dhe nuk iu bind kolegëve të policisë për tu shoqëruar.
Me vendim gjykate, ai u rikthye në polici brenda vitit 2015. 43-vjeçari mësohet se ka punuar edhe në drejtorinë e Antiterrorit në 2019, ndërsa në 2021 ka qenë shef komisariati në Mallakastër.
Së fundmi, në 2022 kaloi si shef stërvitje në RENEA. Gjithashtu detaje të tjera zbardhin dinamikën e arrestimit dhe aktivitetin që dyshohet se Morina ishte I përfshirë.
Gjatë mbrëmjes së djeshme ai është tentuar të merret në pyetje 3 herë por të tre seancat kanë dështuar pasi 43-vjeçari nuk ka pranuar të flasë lidhur me origjinën e parave. Këto të dhëna pritet ti japë në seancën gjyqësore ku do të njihet me masën e sigurisë.
Gjatë ditës së djeshme Morina ishte me një zyrtar të lartë të cilin e ka lënë në zonën e Kodrës se Diellit. Paradite dje ka shkuar në Elbasan ku ka lënë një shumë parash. Më pas është kthyer në Tirane. Hetuesit dyshojnë se Morina ka lidhje me grupe të trafikut të drogës heroinë dhe kokainë, në Tiranë
Efektivi Morina dyshohet si i përfshirë në trafikun e drogës me grupet kriminale në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan. Aktiviteti ishte për heroinë dhe kokainë.
Morina dyshohet se ka lidhje dhe me Kreshnik Halilajn që u arrestua më herët për arsenal armesh dhe drogë. Në këtë rast efektivi dyshohet se ka fshehur prova duke thënë se kokaina e gjetur në shtëpinë e Halilajt nuk ishte kokainë por miell buke.
Ndër të tjera ka dyshime të forta se ka lidhje edhe me grupin e Ervis Martinajt. Para 8 ditësh është parë në praninë e një të afërmi të Martinajt ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.