Partia Demokratike nuk do të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit! Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Komisioneri Ilirjan Celibashi tha se deklarata për “mos blerjen e votave” është një e drejtë ekskluzive që i takon kryetarit të partisë dhe nuk mund të delegohet në palë të treta.
“I ushtron disa kompetenca të kryetarit, por kurrsesi që nuk i ushtron të gjitha kompetencat dhe përgjegjësit. Në kushtet kur deklarata nuk është nënshkruar nga kryetari i partisë, apo ai që i ushtron ligjërisht atributet, kërkesa për PD nuk ka bazë ligjore dhe nuk duhet të pranohet. Në përfundim, PD nuk mund të regjistrohet në zgjedhje, kjo vendimmarrje është në vlerësimin ligjor të fakteve dhe në interpretim të bazuar në ligj. Nuk ka asnjë interes politik apo tjetër veç atij të respektimit nga kushtet”, tha Ilirjan Celibashi.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Gazment Bardhi, i cili hodhi akuza në drejtim të Celibashit duke thënë se shkeli ligjin për qëllime politike, duke sqaruar se vendimi do të ankimohet në KAS.
“Asnjë njëri i shantazhueshëm dhe që nuk respekton ligjin, nuk meriton asnjë respekt. Ilirjan Celibashi ka humbur besimin e PD për të administruar procesin zgjedhor. Ai shkeli rëndë ligjin, për qëllime politike. Vendimi do të ankimohet menjëherë në KAS”, shkruan Bardhi.