E marta e 14-marsit ka shënuar edhe nisjen e pelegrinazhit në kishën e “Shna Ndout” në Laç.
Ashtu sikurse tashmë është kthyer në një ritual, në prej orëve të para të mëngjesit, qindra besimtarë të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë iu drejtuan këtij vendi të shenjtë, ku besojnë në mrekulli.
Besimtarë të shumtë i janë drejtuar këtë të martë kodrës mbi këtë qytet për të gjetur ngrohtësi shpirtërore, duke drejtuar lutjet e tyre për qetësi, shëndet, harmoni dhe begati.
Pelegrinët çdo të martë në 13 të tilla i drejtohen Kishës deri më 13 qershor, ditën ku dhe kulmon përfundimi i këtij pelegrinazhi të përvitshëm. Për mbarëvajtjen e ritualit fetar janë hartuar një plan masash nga policia në bashkëpunim me Bashkinë e Kurbinit, duke qenë se numri i qytetarëve që shkojnë në Kishë është shumë i lartë.
Ndërkohë, për fat të keq, një e moshuar ka humbur jetën pranë Kishës së Laçit, teksa ishte nisur për ritualin e së martës. 70-vjecarja ka rënë nga lartësia pasi ishte ngjitur për të ndezur qirinjtë në Shpellën e Shën Vlashit. E moshuara u transportua me ambulancë në spitalin e Laçit, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve duke ndërruar jetë rreth mesditës.