Pas rreth gjashtë muajsh në hapësirë dhe disa nisjeve të vonuara, dy amerikanë, një rus dhe një astronaut japonez u larguan nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) në kapsulën private të SpaceX të Elon Musk, njoftoi NASA të shtunën, transmeton Hina.
Një kapsulë me katër udhëtarë hapësinorë është ndarë nga ISS, njoftoi agjencia hapësinore amerikane, dhe ata duhet të arrijnë në Tokë të dielën në mbrëmje.
Nisja e ISS me anëtarët e “Crew-5”, e përbërë nga astronautja e NASA-s, Nicole Aunapu Mann, kolegu i saj Josh Cassada dhe astronauti japonez Koichi Wakata dhe kozmonautja ruse Anna Kikina, është shtyrë disa herë për shkak të kushteve të motit. Fillimisht ata duhej të largoheshin disa ditë më parë.
Kapsula me “Crew-5” u lançua në tetor nga Kepi Canaveral.
Ishte nisja e parë e përbashkët e astronautëve të NASA-s dhe një kozmonauti rus nga toka amerikane që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës më shumë se një vit më parë.
Kozmonautët rusë Sergey Prokopyev dhe Dmitry Petelin, si dhe astronauti i NASA-s Frank Rubio dhe anëtarët e “Crew-6”, të cilët mbërritën atje vetëm disa ditë më parë, mbeten në ISS.
Ai ekuipazh përbëhet nga amerikanët Stephen Bowen dhe Warren Hoburg, rus Andrey Fedyaev dhe Sulltan al-Niyadi i Emirateve.