Struktura e krimit ekonomik në gjitha drejtoritë e Policisë së Shtetit janë pezulluar me urdhër të kreut të policisë, Muhamet Rrumbullaku. Dy janë shqetësimet kryesore që kanë detyruar shefin e policisë që të ndërmarrë këtë vendim.
E para është mungesa e efikasitetit të strukturave dhe e dyta mos përmbushja e pritshmërive në luftën kundër evazionit fiskal, paligjshmërive në fushën ekonomike apo goditjen e korrupsionit. Vendimi u publikua pas një takimi me Rrumbullaku pati me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, duke theksuar se pezullimi bëhet deri në hyrjen në fuqi të një strukture të re.
Gjatë takimit, ministri Çuçi dha porosi të prera për çdo drejtues vendor të Policisë, për një luftë të pa kompromis kundër kultivimit të kanabisit. Në këtë aspekt, strukturave policore do t’u vijë në ndihmë përdorimi i teknologjisë së lartë, si dhe pamjet e përftuara nga satelitët në monitorimin e rreptë të territorit. Ministri tha se për çdo parcelë që do të konstatohet nga agjenci të tjera, do të ketë përgjegjësi individuale për drejtuesit vendorë. Vëmendje e posaçme duhet t’u kushtohet kontrolleve në ambiente të mbyllura.
Një tjetër porosi e drejtuesit të Ministrisë së Brendshme, ishte angazhimi maksimal i strukturave për mbarëvajtjen e fushatës elektorale dhe gjithë procesit zgjedhor të 14 majit, duke parandaluar dhe goditur me forcën e ligjit, çdo tentativë për shit-blerje vote. Ai ka kërkuar goditjen e fenomeneve që përbëjnë krime elektorale, si dhe që policia t’i shmanget çdo lloj intimidimi nga subjektet politike apo persona të lidhur me ta.