Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 25 vite burg për Ilir Selmanin i akuzuar si një nga organizatorët e vrasjes së Santiago Malkos, ngjarje kjo e ndodhur më 27 gusht të vitit 2019, në rrugën Xhanfize Keko. Në pretencën e dhënë sot për anëtarët e Klanit Duka, SPAK ka kërkuar 7 vite burg edhe për Elvis Gacajn i akuzuar si pjesëmarrës në vrasjen e Malkos.
Selmani dhe Gacaj akuzohen si anëtarë të Klanit Duka, të cilët njihen si rivalët më të mëdhenj të ish bosit të lojërave të Fatit, Ervis Martinaj, ky i fundit rezulton i zhdukur prej gushtit të vitit që lamë pas. Santiago Malko nga ana tjetër njihej si krahu i djathtë i Ervis Martinajt. Sherri mes Klanit Duka dhe Ervis Martinaj nisi për lojërat e fatit, ndërsa më pas agravoi me rrëmbimin e babait të Leonard Dukës.
Ky i fundit bënin përgjegjës Ervis Martinajn për këtë ngjarje, ndërsa tentuan disa herë që t’i bënin attentat. Pasi dështuan disa herë të vrisnin Ervis Martinajn, Klani Duka organizoi vrasjen e Santiago Malkos teksa ai lëvizte me makinën e tij në zonën e Xhamllikut.
Më herët për këtë ngjarje, u dënua me 25 vite burg, Bledi Teta, i cili ka qenë një prej personave që mori pjesë në atentatin me breshëri kallashnikovi ku shënjestra ishte viktima Santiago Malko .
Pak ditë më parë, në Belgjikë u arrestua edhe Leonard Duka i cili prej 4 vitesh ishte në arrati për vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Për të njëjtën ngjarje në kërkim janë edhe 5 persona të tjerë, mes të cilëve dhe vëllai i Leonard Dukës, Erlisi. Procesi gjyqësor ndaj tyre vazhdon në mungesë.