Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një hap të madh drejt ndalimit të aplikacionit jashtëzakonisht të popullarizuar TikTok përmes një projekti të mbështetur nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa mosbesimi perëndimor ndaj rrjetit social kinez rritet.
Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, pretendon se e ka “duartrokitur” projektligjin që i është dërguar Kongresit dhe ndër të tjera mundëson ndalimin e aplikacioneve si TikTok, transmeton Hina.
Teksti i propozuar nga senatorët demokratë dhe republikanë, “do t’i lejojë qeverisë amerikane të parandalojë disa vende të huaja nga përdorimi i shërbimeve teknologjike (…) në një mënyrë që kërcënon informacionin konfidencial të amerikanëve dhe sigurinë tonë kombëtare”, shkroi këshilltari i Shtepia e Bardhe.
Shumë ligjvënës amerikanë e konsiderojnë platformën për video të shkurtra dhe virale, në pronësi të grupit kinez ByteDance, një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Ata janë të shqetësuar, si një numër në rritje i qeverive perëndimore, se Pekini mund të ketë akses në të dhënat e përdoruesve nga e gjithë bota përmes aplikacionit, të cilin TikTok e ka mohuar për vite me radhë.
Në veçanti, projektligji i quajtur “Akti i Kufizimit” i jep Ministrisë së Tregtisë kompetenca më të mëdha për të ndaluar aplikimin, raporton AFP.
Ndalimi i aplikacionit do të nënkuptonte “heqjen e lirisë së fjalës” të miliona amerikanëve, ankohet TikTok, i cili pretendon se ka më shumë se 100 milionë përdorues në Shtetet e Bashkuara.
Në fund të shkurtit, Shtëpia e Bardhë urdhëroi agjencitë federale të heqin TikTok nga telefonat inteligjentë brenda 30 ditëve, bazuar në një ligj të nënshkruar nga Presidenti Joe Biden në fillim të këtij viti.